Alba Çakalli emërohet producente e Festivalit "Dokufest"

Festivali ndërkombëtar i filmit ‘Dokufest’ ka njoftuar se Alba Çakalli është emëruar producente e Festivalit.

Sipas këtij njoftimi, Alba Çakalli ka gati një dekadë që punon në “Dokufest”, ku fillimisht ka nisur si koordinatore e vullnetarëve.

“Si Producente e Festivalit, Alba Çakalli do ta drejtojë ekipin në përgatitjen dhe ekzekutimin e aspekteve të shumta të Festivalit dhe në të njëjtën kohë do të ndjekë dhe do të mbikqyrë iniciativat dhe partneritetet e reja”, thuhet në njoftimin e Dokufestit.

Më herët, Çakalli ka punuar si asistente e programit dhe koordinatore e sistemit të pranim-dorëzimit të filmave, si dhe ka menaxhuar projektet si ‘Filmi dhe Mediat Faktike’ dhe ‘Klubet e Medias Dixhitale’.

“Emërimi i Alba Çakalli vijon gjurmët e udhëheqjes jashtëzakonisht të suksesshme të Nita Dedës— e cila u largua nga organizata në fillim të këtij viti për të bashkë-themeluar kolektivin muzikor Andrrat Moderne”, thuhet në fund të njoftimit.